Back To Top

Albradio

Lokacioni yt

Lajme
 Pse Baseli është në dilemë për Xhakën
14 Mars, 2024

Pse Baseli është në dilemë për Xhakën

Me 525 paraqitje, Fabien Frei (35) është rekordmen i padiskutueshëm në histori të Baselit. Por kapiteni nuk dëshiron që të quhet “legjendë”. Kur e përdor këtë term, Frei vazhdimisht i referohet një bashkëlojtari: Taulant Xhakës (32).

Gjaku kuq e kaltër ka rrjedhë në venat e tij që nga fëmijëria. Lojtari nga Baseli ishte figurë identifikuese e FSB për shumë vjet.

Por ky fakt e bën situatën më të komplikuar. Pas 385 ndeshjesh, gjashtë titujve dhe katër kupave, karriera e Xhakës është në udhëkryq.

Nën trajnerin Fabio Celestini, lojtarë më të rinj si Leon Avdullahu, Renato Veiga dhe i ardhuri në dimër, Dion Kacuri, janë përpara sa i takon mesfushës qendrore. Duket që Baseli dëshiron të bazohet te të rinjtë. Ky zhvillim i ka dhënë Xhakës ndjenjën se po shtyhet jashtë klubit nga zyrtarë të Baselit. Kështu të paktën mund të interpretohet një mesazh i tij në Instagram, i publikuar të hënën.

“Do ta them sërish: kontratë deri më 2027 dhe do të qëndrojë ashtu deri në fund. Taulant Xhaka është Baseli dhe do të mbetet Baseli”.

Nuk ka saktësuar se kujt ia ka drejtuar këto fjalë. Por është sekret publik që Xhaka dhe bosi i Baselit, David Degen nuk ishin në linjë të njëjtë që nga përplasjet për kontratën e tij të re.

Kontrata e Xhakës do të skadonte këtë vit. Por në shkurt të vitit 2023, pas shumë zhvillimeve, lojtari dhe klubi arritën marrëveshje për vazhdimin e saj deri në vitin 2027. Kjo nënkuptonte që Xhaka dëshironte të vendoste vetë se kur duhet të ndalet. Në anën tjetër Baseli kursente para pasi Xhaka ka pranuar humbje financiare si rezultat i rishikimit të kontratës.

Por tani Baseli është në dilemën Xhaka. As përgjegjësit e klubit e as Xhaka nuk kanë pritur që ai të luajë kaq pak këtë edicion. Xhaka ka qenë në përbërjen startuese vetëm dy herë këtë vit. Të dy ndeshjet u humbën. Mund të jetë rastësi, por shifrat flasin kundër zëvendëskapitenit. Me Xhakën në përbërje, Baseli arkëton 1.06 pikë për ndeshje në ligë. Pa të, 1.3.

Veterani ka bërë të qartë këtë javë që ndonëse rezervist, dëshiron të vazhdojë deri në vitin 2027. Prapa deklaratës për luftë, dëshira e madhe është për të luajtur për Baselin së bashku me vëllain, Granitin. Ndonjë klub tjetër nuk ishte asnjëherë opsion për Taulantin. Pos në edicionin 2012/13, kur ishte i huazuar te Grasshopperi, Xhaka gjithë karrierën e ka kaluar te Baseli.

Ka pasur opsione për të. Kur Paulo Sousa lëvizi nga Baseli te Fiorentina në vitin 2015, ai dëshiroi ta merrte me vete Xhakën. Por për të transferimi nuk ishte çështje.

“Ndihem komod këtu në Basel. Tifozët më respektojnë, familja dhe shokët e mi janë këtu. Çka më duhet më shumë”, ka thënë Xhaka në vitin 2022 për “Blick”.

“Nuk mund ta imagjinoj që ta vesh një fanellë tjetër”.

Një identifikim i tillë me klubin është i rrallë në botën e futbollit sot. Ka klube që do t’i bënin statujë para stadiumit një lojtari besnik si Xhaka. Nëse gjërat vijnë ndonjëherë në këtë pikë në Basel, të gjithë të përfshirët duhet të gjejnë një zgjidhje sa më shpejt që të jetë e mundur. Në të kundërtën, monumenti i Xhakës rrezikon të çahet para se të ndërtohet.

Te tjera

WP Radio
WP Radio
OFFLINE LIVE