Në Zürich është mbajtur Konferenca e 20-të Shkencore e organizuar nga Federata e Mjekëve Shqiptarë në Evropë (AMFE).

 

Kryetarja e AMFE-së, Aurora Dollenberg deklaroi se konferencat e tilla që janë mbajtur në shumë vende të Evropës kanë për qëllim bashkimin e trurit shqiptarë dhe gjetjet e mënyrave më të mira për të kontribuar sa më shumë në të mirën e përbashkët.

Me pjesëmarrjen e profesionistëve shqiptarë të fushave të ndryshme që jetojnë dhe punojnë në Evropë gjatë kësaj konference u diskutuan shumë çështje me interes, e që në fokus kishin problematikat dhe sfidat mjekësore por jo vetëm.

Diskutimet dhe referimet e paraqitura në këtë konferencë ishin të nivelit të lartë, teksa me votim unanim dhe në një proces demokratik u formua dega e AMFE-së edhe në Zvicër.

Agjenda e kësaj konference u koncentrua në tri sesione, e ku pjesëmarrësit patën mundësi të pajisen me certifikata dhe mirënjohje për punën dhe angazhimin e tyre në diasporën shqiptare.

Ndërkohë, kjo konferencë u pasurua edhe me program artistik, ku interpretuan pianistja me famë botërore Lule Elezi si dhe Ansamblet e valleve “Vatra” dhe “Arbreshët”. / Alketa Gashi Fazliu | RTK