Back To Top

Albradio

Lokacioni yt

Lajme
 OEA: Kosova të heqë dorë nga diskursi i konfliktit, pamundësohet tërheqja e investimeve të huaja
2 Shkurt, 2024

OEA: Kosova të heqë dorë nga diskursi i konfliktit, pamundësohet tërheqja e investimeve të huaja

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të lirohet sa më shpejtë që është e mundur nga diskursi i konfliktit dhe jostabilitetit, meqë një gjë e tillë, sipas tyre, po pamundëson tërheqjen e investimeve cilësore të huaja.

Reagimi i tyre ka ardhur pas publikimit të raportit nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG) ku ndër të tjera Kosova përmendet si njëra nga 10 vendet me rrezik për konflikt ose eskalim gjatë vitit 2024.

E ky fenomen sipas Odës Ekonomike Amerikane po rëndon perceptimin negativë të ndërkombëtare mbi Kosovën

“Institucionet e Kosovës duhet të kuptojnë rëndësinë e përmbylljes së marrëveshjes me Serbinë, si thirrje e vazhdueshme edhe e partnerëve strategjikë ndërkombëtarë të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Odës Amerikane.

Tutje, Oda Amerikane ka vlerësuar si hap të duhur njohjen e targave nga Kosova dhe Serbia.

Oda Amerikane gjithashtu ka ri-përsëritur thirrjen e saj për Qeverinë e Kosovës që të largojë masat aktuale të cilat ndalojnë hyrjen e produkteve finale nga Serbia, të cilat kryesisht godasin interesat komerciale të shteteve partnere të Kosovës, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Largimi i barrierave tregtare do ta bënte Kosovën më tërheqëse për investitorët e huaj, meqë ata konsiderojnë mundësitë të cilat u ofrohen nga qasja në tregje më të mëdha dhe përfitimi nga ekonomitë e shkallës në prodhim dhe distribuim”, thuhet tutje.

Në raportin e ICG-së u konstatua se BE duhet t’i ndërmarrë katër veprime për të lehtësuar dinamikën e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa ishte argumentuar se rruga më e mirë është një kompromis me të cilin Serbia pranon pavarësinë e Kosovës në këmbim që Kosova t’i japë minoritetit serb vetëqeverisje të konsiderueshme.

Raporti i ICG-së kishte vlerësuar ndër të tjera se “taktikat” e Qeverisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe mund të nxisin reagimin e dhunshëm të popullatës, ndërsa më tej thuhej se nëse nuk gjendet një zgjidhje e përshtatshme për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, atëherë palët duhet të angazhohet për të gjetur alternativa të tjera.

“BE-ja duhet të punojë për të siguruar që të plotësohen nevojat e pakicës serbe, veçanërisht në punësim, kujdes shëndetësor dhe shkollim. Nëse kjo nuk mund të bëhet brenda kornizës për autonomi të pjesshme që ka qenë në diskutim për komunat me shumicë serbe, atëherë BE-ja duhet t’i bëjë presion palëve që të gjejnë alternativë për të arritur të njëjtin qëllim”.

ICG kishte konstatuar gjithashtu se prej vitit 2021 kur në pushtet erdhi kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, situata në katër komunat me shumicë serbe në Veri të vendit shkoi duke u “nxehur” për shkak të refuzimit për t’i dhënë “autonomi më të madhe” serbëve të Kosovës, derisa pengesë në këtë drejtim mbetet refuzimi i Serbisë për ta njohur sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës.

Te tjera

WP Radio
WP Radio
OFFLINE LIVE