Back To Top

Albradio

Lokacioni yt

Lajme
 Dyfishohet numri i kosovarëve në Gjermani
13 Shtator, 2023

Dyfishohet numri i kosovarëve në Gjermani

Sipas matjeve të vitit 2022, në Gjemani jetojnë 542 mijë persona me sfond migrimi nga Kosova, nga të cilët 330 mijë kanë lindur në Kosovë.

Këto të dhëna janë prezantuar këtë të mërkure nga Instituti i Studimeve të Avancuara (GAP), në raportin statistikor “Migrimi i kosovarëve në Gjermani: Analizë statistikore”.

Në këtë raport analizohen të dhënat e emigrimit të shqiptarëve të Kosovës drejt Gjermanisë, të dhëna të marra nga Zyra Federale e Statistikave të Gjermanisë për vitet 2010-2022.

Raporti pohon se rritja më e lartë vërehet nga viti 2021 deri në vitin 2022, “me 44 mijë (15%) mijë persona më shumë”.

“Nga këta 542 mijë persona, 289 mijë (53%) janë burra ndërsa 254 mijë (47%) janë gra. Nga krahasimi i të dhënave të vitit 2022 me ato të vitit 2010, konstatohet se numri i qytetarëve me origjinë nga Kosova që jetojnë në Gjermani pothuajse është dyfishuar”, thuhet në raport.

“Rrjedhimisht, në një periudhë kohore 12 vjeçare shënohet rritje nga 291 mijë në 542 mijë, që rezulton në 251 mijë (86%) më shumë persona me sfond migrimi nga Kosova”.

Raporti i GAP-it vënë në pah se në vitin 2021, “21 mijë e 468 persona kanë hyrë nga Kosova në Gjermani, dhe 4 mijë e 323 persona me origjinë nga Kosova janë larguar nga Gjermania ku migrimi neto në këtë vit ishte 17 mijë e 164 persona”.

“Sipas të dhënave të vitit 2022, 176 mijë persona (32.5%) me origjinë nga Kosova i takojnë grup-moshës 25 deri në 45 vjeç, duke pasuar nga 147 mijë nën 15 vjeç (27.1%); 106 mijë nga mosha 45 deri në 65 vjeç (19.5%); 95 mijë nga mosha 15 deri në 25 vjeç (17.5%); dhe 18 mijë mbi moshën 65 vjeç”

Duke iu referuar të dhënave të vitit 2022, në raport vërehet se nga gjithsejtë “330 mijë persona të lindur në Kosovë, mosha mesatare në kohën kur ata emigruan në Gjermani ishte 22 vjeç”.

“Të dhënat e tregut të punës në Gjermani tregojnë se, nga 264 mijë persona aktivë me sfond migrimi nga Kosova, 251 mijë janë të punësuar (160 mijë burra dhe 91 mijë gra), ndërsa 13 mijë janë të papunë (tetë mijë burra dhe pesë mijë gra)”, tregon raporti.

Të dhënat në periudhën kohore 2017 deri më 2022 tregojnë se arsyet kryesore të emigrimit në Gjermani për të gjithë personat e lindur në Kosovë “janë kryesisht bashkimi familjar dhe azil-kërkimi”.

“Në vitin 2022, 110 mijë persona deklaruan se bashkimi familjar është arsyeja kryesore e emigrimit të tyre; 85 mijë persona deklaruan se arsyeja kryesore është arratisja, azil-kërkimi dhe mbrojtja ndërkombëtare; 64 mijë persona deklaruan si arsye punësimin, ndërkaq 41 mijë të tjerë emigruan për të krijuar familje”.

Raporti tregon edhe për nivelin e shkollimit.

Numri i personave të cilët posedojnë diplomë të shkollës së mesme është më i madh se ata të cilët nuk kanë diplomë të tillë.

“E njëjta nuk vlen për kualifikime profesionale, ku numri i personave të cilët nuk kanë kualifikime profesionale është konsiderueshëm më i madh se ata që kanë kualifikime të tilla”.

Nga gjithsej 16 njësi federative nga të cilat përbëhet Gjermania, pjesa më e madhe e personave me origjinë nga Kosova jetojnë në Baden-Wuerttemberg, Nordrhein-Westfalen dhe Bavari.

Te tjera

WP Radio
WP Radio
OFFLINE LIVE