Back To Top

Albradio

Lokacioni yt

Lajme
 Ademi la Suedinë për Kosovën
26 Shkurt, 2024

Ademi la Suedinë për Kosovën

Taekowondisti Bleron Ademi vitin e kaluar kishte fituar medalje në ngjarje të mëdha për të rinj. Duke përfaqësuar Suedinë, Ademi fitoi medalje të bronzta, fillimisht në Botërorin për juniorë që ishte mbajtur në Sofje të Bullgarisë dhe më pas në Evropianin për grupmoshën U21 që ishte mbajtur në Tiranë.

Por për Ademin vlerë më të madhe ka medalja e argjendtë e fituar duke përfaqësuar Kosovën.

Bleroni fitoi medalje të argjendtë në Kampionatin Evropian për taekwondistët deri 21 vjet. Evropiani për këtë grupmoshë u mbajt në Bukuresht të Rumanisë. Dhe, medalja e fituar nga Bleron Ademi, ishte më e madhja deri më tani për taekwondon kosovare.

“Gjithmonë jam munduar të jap shumë për veten, klubin e po ashtu edhe për Suedinë. Por Suedia nuk më ka vlerësuar siç po më vlerëson Kosova”, ka thënë Ademi në një bisedë për KOHËN.

Ademi qëndroi shkurt në Kosovë më herët këtë javë. Në vendin prej nga e ka prejardhjen, kishte ardhur për herë të parë pas suksesit historik që e arriti në fund të vitit të kaluar. Erdhi për të pranuar çmimin “Sportisti më i mirë i ri i vitit 2023 në Kosovë”, të ndarë nga Komiteti Olimpik i Kosovës.

“Kosova është vendi im. Jam gëzuar shumë, pasi e dija që Kosova nuk ka arritur asnjëherë të fitoj medalje të argjendtë në grumposhën U21”, është shprehur taekwondisti premtues.

18-vjeçari insiston se në Kosovë ndjehet më i vlerësuar.

“Suedia nuk është aq e mirë. Sporteve nuk u jep shumë rëndësi. Nuk është njëjtë si këtu në Kosovë, ku po ndihesh më i vlerësuar. Në gjitha aspektet këtu po më ndihmojnë, kurse atje aspak. Këtu më kanë ndihmuar shumë”, ka theksuar Ademi.

Ademi me taekwondo thotë se nisi të merrej që nga mosha 6-vjeçare. Për një periudhë dyvjeçare provoi edhe me futboll. Por si përfundim vendosi të fokusohet plotësisht në sportin luftarak të taekwondos.

“Më ka dhënë shumë ky sport. Kam fituar disiplinën, medalje evropiane e botërore. Kam fituar edhe titullin e kampionit në Suedi dhe shumë medalje nga ngjarje të ndryshme”.

Ademi, që garon në kategorinë deri 54 kilogramë, është me prejardhje nga Mitrovica, ndërsa jeton në Trollhatan, afër Goteborgut, në Suedi. Thotë se jeta e një taekwondisti nuk është e lehtë. Thekson se pas përfundimit të shkollimit mund të kthehet të jetojë në Kosovë.

“Shokët e mi që i takoja nëpër gara më kanë thënë gjithmonë që të vij të garoj për Kosovën. Denisi, shoku im, më ka thënë se është më mirë. Kam biseduar edhe me babin tim dhe kur i mbusha 18 vjet thashë se jam gati tash për Kosovën”, ka treguar Ademi.

Pas medaljes së argjendtë evropiane, Ademi premton suksese të tjera për Kosovën.

Pse jo edhe medalje olimpike.

“Synoj vendin e parë në Lojërat Olimpike. Jam shumë i motivuar dhe po stërvitem çdo ditë dhe gjasat janë të mëdha ta arrij këtë sukses”, është shprehur Ademi.

Fillimisht duhet ta sigurojë normën olimpike, ndërsa turneun kualifikues e ka muajin e ardhshëm.

Kosova ka fituar edhe në të kaluarën medalje në sporte luftarake, në taekwondo po ashtu, por vetëm me grupmoshat e reja. Fitimi i normës nga Ademi do të ishte sukses historik.

Te tjera

WP Radio
WP Radio
OFFLINE LIVE