Back To Top

Albradio

Lokacioni yt

Lajme
 Foda i beson potencialit të Kosovës: Jam i sigurt që do të arrijmë rezultate të mira
18 Mars, 2024

Foda i beson potencialit të Kosovës: Jam i sigurt që do të arrijmë rezultate të mira

Me fjalë shqip, Franco Foda e ka nisur dhe e ka mbyllur konferencën për shtyp në prag të debutimit në krye tëPpërfaqësueses së Kosovës në futboll. Gjermani Foda foli në konferencë të hënën, kur edhe nisi zyrtarisht grumbullimi i Përfaqësueses për ndeshjet miqësore me Armeninë dhe Hungarinë. Kosova luan me Armeninë më 22 mars në Jerevan dhe me Hungarinë më 26 mars në Budapest.

Foda ka thënë se prej emërimit në postin e selektorit ka udhëtuar shumë, njëjtë si ndihmësit e tij. Ka përcjellë lojtarët e Kosovës, ndërsa ka pasur takime personale me dy lojtarët kryesorë, kapitenin Amir Rrahmani dhe Vedat Muriqi. Ka thënë se bisedat ishin të mira.

Foda ka theksuar se grupi i lojtarëve do të kompletohet deri të hënën mbrëma. Ka thënë se për shkak të angazhimeve me skuadrat e tyre në fundjavë, disa nuk kanë mundur të udhëtojnë të hënën në mëngjes.

Ai u zyrtarizua në krye të Kosovës më 17 shkurt. Në postin e selektorit ka pasur sllovenin Primozh Gliha, të cilit kontrata iu krye në nëntor të vitit të kaluar.

“Të gjithë lojtarët e ftuar janë të gatshëm për lojë dhe në dispozicion”, ka shtuar Foda.

Në konferencë, 57-vjeçari nuk ka përmendur emra të shumtë lojtarësh. I pyetur se pse Ermal Krasniqi mbeti jashtë, Foda është përgjigjur se një ndihmës i tij ka qëndruar në Bukuresht për të përcjellë nga afër lojtarët e Rapidit. Nga kjo skuadër është ftuar Albion Rrahmani, por jo edhe Ermal Krasniqi e Florent Hasani.

“Kemi shqyrtuar një grup prej 40-50 lojtarësh. Por jemi përcaktuar për lojtarët që na kanë bindur më shumë. Gjithsesi, secili prej këtyre lojtarëve duhet të tregojë më të mirën. Dyert janë të hapura për çdo lojtar. Secili do të ketë rastin të tregojë veten dhe të marrë pjesë në ndeshjen. Duam që lojtarët e përzgjedhur të kenë rastin për ta treguar veten dhe të paraqiten në ndeshje. Ne do të vazhdojmë të përzgjedhim edhe lojtarët e tjerë. Këto dy ndeshje dhe ndeshjet në qershor do të na shërbejnë për të përzgjedhur më të mirët”, ka shtuar selektori i ri i Kosovës.

Për qershor, Kosova e ka të aranzhuar një ndeshje me Norvegjinë, ndërsa pritet të sigurohet edhe një tjetër. Prej 6 shtatorit “Dardanët” nisin me ndeshje në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve të UEFA-s.

Foda e ka përsëritur se secili lojtar do ta ketë mundësinë për të shfaqur vlerat, ndërsa ka thënë se selektimi është bërë duke i parë ndeshjet nga afër, por edhe përmes transmetimeve.

Foda ka thënë se në bisedimet me drejtuesit e FFK-së i është thënë se duan të ndërrojnë shumë gjëra në Përfaqësuese. Ai ka përmendur faktin që te Zuerichu dhe te Kaiserslauterni ka punuar me shumë lojtarë të Kosovës. Pra, që njeh shumë mirë mentalitetin e lojtarëve.

“Kosova ka ekip shumë interesant. Ka lojtarë shumë interesantë dhe jam shumë i sigurt që do të arrijmë rezultate të mira. Kam vendosur të nënshkruaj kontratën pasi lojtarët e Kosovës janë shumë të talentuar. Është shumë me rëndësi të shohim si do të shkojnë stërvitjet që të formojmë ekipin më të mirë për ndeshjen ndaj Armenisë. Në futboll talenti është shumë i rëndësishëm, por edhe koka është shumë e rëndësishme. Lojtarët duhet të kenë besim në ne dhe në ekip që do të fitojmë çdo ndeshje”, ka shtuar Foda.

Ai ka lënë të kuptohet se nuk do të ftohen në Përfaqësuese lojtarë pa skuadra. Ka treguar që ka biseduar me Edon Zhegrovën. Zhegrova i kishte raportet e acaruara me përgjegjësit e Përfaqësueses, por është ftuar dhe do të jetë në grumbullim. Ai është prej lojtarëve më në formë të Kosovës.

Te tjera

WP Radio
WP Radio
OFFLINE LIVE