Back To Top

Albradio

Lokacioni yt

Lajme
 BE-ja i kërkon Qeverisë që të shmangë “veprimet e njëanshme” 
4 Shkurt, 2024

BE-ja i kërkon Qeverisë që të shmangë “veprimet e njëanshme” 

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të shmangë “veprimet e njëanshme” që mund të rrisin tensionet, pas mbylljes së objekteve të “institucioneve të administruara nga Serbia” në Dragash, Pejë, Istog e Klinë dhe zyrën e një organizate joqeveritare në Prishtinë.

“Bashkimi Evropian vuri në dukje me shqetësim të madh operacionet e Policisë Speciale të kësaj jave në zyrat e institucioneve të drejtuara nga Serbia në komunat Dragash, Pejë, Istog, Klinë dhe objektet e organizatës joqeveritare Qendra për Paqe dhe Tolerancë në Prishtinë”, thuhet në reagimin e BE-së për media.

Sipas BE-së, mbyllja e papritur e këtyre zyrave do të ketë efekte negative në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së komuniteteve serbe të Kosovës, pasi “do të kufizojë qasjen e tyre në shërbimet themelore“ duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment.

“Statusi i këtyre strukturave është paraparë të zgjidhet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në lidhje me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Prandaj, BE-ja i kërkon Kosovës që të shmangë veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet dhe t’i adresojë këto çështje përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

Të shtunën edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se vendi i tij është i shqetësuar pas veprimeve të autoriteteve të Kosovës, derisa ka përmendur edhe mundësinë e mosmbështetjes amerikane për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është thellësisht e shqetësuar për veprimet e fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës që kanë ndikim direkt dhe negativ në pjesëtarët e etnisë serbe dhe minoritetet tjera në Kosovë. Këto veprime janë duke rritur në mënyrë të panevojshme tensionet ndëretnike dhe si pasojë kufizojnë opsionet që Shtetet e Bashkuara të shërbejnë si avokuese efektive për Kosovën në arenën ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e Hovenierit për media.

Te tjera

WP Radio
WP Radio
OFFLINE LIVE