Back To Top

Albradio

Lokacioni yt

Lajme
 Klubi elitar zviceran shton edhe një hendbolliste në “koloninë shqiptare”
23 Shkurt, 2024

Klubi elitar zviceran shton edhe një hendbolliste në “koloninë shqiptare”

Aloja e përfaqësueses së Kosovës në hendboll, Fitore Aliu, ka firmosur me skuadrën e Superligës së Zvicrës, Kreuzlingen. 24-vjeçarja deri më tani ka luajtur në kategorinë e tretë gjermane, për skuadrën Kappelwindeck/Steinbach. Kreuzlingenit, Fitore Aliu do t’i bashkohet gjatë verës, përkatësisht për edicionin garues 2024/2025. Te kjo skuadër është partneri i Fitores, portieri i përfaqësueses së Kosovës, Haris Berisha.

Por Berisha nuk është i vetmi. Klubi Kreuzlingen i ngjanë një kolonie shqiptare. Në ekipin e hendbollistëve janë Valon Dedaj, Bujar Ramosaj, Haris Berisha, vëllezërit Drilon e Drenit Tahirukaj dhe Lionel Mirdita. Dedaj është kapiten i skuadrës e po ashtu i përfaqësueses së Kosovës. Të rëndësishëm te Kosova janë edhe Ramosaj, Berisha dhe vëllezërit Tahirukaj, ndonëse Driloni e Dreniti nuk janë paraqitur në ndeshjet e fundit me përfaqësuese. Mirdita ka luajtur për të rinjtë e Zvicrës, raporton Kohanet.

Kreuzlingeni aktualisht është i teti në elitën zvicerane, që ka dhjetë skuadra gjithsej.

Në konkurrencën e femrave, Kreuzlingeni është i treti në Superligën e Zvicrës. Pashke Marku është prej lojtareve kryesore. Në ndeshjen e fundit ajo shënoi 15 gola prej 15 tentimeve. Marku po ashtu ka luajtur për Kosovën dhe ka dhënë kontribut të madh. Muaj më parë ka deklaruar se pensionohet nga përfaqësuesja.

Marku luan alo e majtë, ndërsa Fitore Aliu luan alo e djathtë. Mbetet të shihet nëse ato dyja do të luajnë së bashku edicionin e ardhshëm. Apo nëse eventualisht do t’u bashkohet edhe ndonjë hendbolliste tjetër shqiptare.

Fitore Aliu këtë edicion ka shënuar 68 gola në 14 ndeshje në kategorinë e tretë gjermane. Sipas asaj që ka shkruar klubi zviceran, Aliu ka pasur oferta nga dy kategoritë e para në Gjermani, por ka vendosur për transferim në Zvicër.

“Për mua, Fitorja është absolutisht lojtare e pëlqyer. Me të, ana jonë e djathtë e sulmit do të fitojë edhe më shumë sa i takon depërtimit dhe shënimit të golave”, ka thënë trajnerja e Kreuzlingenit, Kristina Ertl-Hug.

Te tjera

WP Radio
WP Radio
OFFLINE LIVE