Radio Kosova 1 dhe Radio Kosova 2 kanë nisur maratonën e programit special për edicionin e tretë të Festivalit të Këngës në RTK, që do të mbahet më 6, 7 dhe 8 nëntor 2025. Kjo nismë ka filluar nga e hëna (20 tetor) dhe do të vazhdojë deri në përmbyllje të festivalit, duke sjellë përmbajtje të pasur dhe dinamike për dëgjuesit.
Ky program do të transmetohet LIVE edhe në Albradio, duke qenë afër dëgjuesve të saj. Nga ora 11:00, emisioni “The Road to the Festival” do të fokusohet në prapaskenat e festivalit, duke pasqyruar punën e padukshme të ekipeve organizative. Ndërsa nga ora 12:20, emisioni “Mesdita” në Radio Kosova 1 do të ndjekë pjesëmarrësit në çdo hap të udhëtimit të tyre, nga provat deri te performancat.
Për herë të dytë, Radio Kosova do të sjellë një lojë shpërblyese për dëgjuesit, duke dhuruar bileta për një nga netët e festivalit, një mundësi e shkëlqyer për adhuruesit e muzikës.
Ky bashkëpunim me Radio Kosovën ka përmbushur të gjitha kriteret e një bashkëpunimi të frytshëm që prej nënshkrimit të marrëveshjes tre vjet më parë me Drejtorin e Radio Kosovës, Arsim Halili, i cili vazhdon të jetë në krye të institucionit.
Përmes këtij programi, Radio Kosova promovon kulturën dhe muzikën shqipe, duke e vendosur artistin në qendër të vëmendjes. Për më shumë, ndiqni Radio Kosovën në Facebook dhe në kanalin zyrtar në YouTube!