Filmi “Krejt e thirrin Rexhon” (Everybody Calls Redjo) i regjisorit nga Maqedonia, Ibër Dehari, është shpërblyer me çmimin për Filmin më të Mirë në kategorinë konkurruese “Meridiana” në festivalin prestigjioz Bari International Film Festival në Itali.
“Meridiana” është kategoria e dedikuar për filma nga vendet e rajonit të Mesdheut dhe përzgjedhja jonë në mesin e veprave të tjera të fuqishme ishte një nder i madh, ka shkruar në Facebook, regjisori Ibër Dehari.
Ai ka falënderuar jurinë, festivalin, publikun dhe të gjithë ata “që besuan në këtë film dhe në zërin që ai përfaqëson. Rroftë kinemaja!”
Regjisori Ibër Dehari është frymëzuar nga jeta reale e një punëtori të vetëm në një fshat të Kumanovës, ndërsa shumica e banorëve tashmë kanë emigruar.
“Inspirimi është marrë nga një person real, Rexhep Nushi, i cili jeton në fshatin tim. Ai është një nga punëtorët e fundit që ka mbetur. Për ironi, sot kemi punëtorë nga Shqipëria që vijnë për të punuar në fshatin tonë, sepse edhe atje njerëzit po largohen”, thotë regjisori Ibër Dehari.
Përmes skenave të fuqishme dhe rrëfimeve emocionale, filmi shfaq luftën e përditshme për një jetë më të mirë dhe vështirësitë e të rinjve që nuk shohin perspektivë në vendin e tyre.
“Është një betejë e ashpër. Diskriminimi ndoshta nuk është aq i theksuar në baza etnike, sa në baza partiake. Kush është me partinë, ka më shumë mundësi. Edhe pse jam regjisor dhe kam realizuar këtë film, sot ende mendoj të largohem nga ky vend, sepse nuk e gjej vlerësimin që meritoj”, thotë regjisori Ibër Dehari.
Filmi ka bërë bujë në kinematë e Shkupit, Prishtinës dhe Tiranës, ku ka mbushur sallat me shikues dhe ka rikthyer në qendër të vëmendjes një nga problemet më të mëdha të shoqërisë, emigrimin.
“Në 20 vitet e fundit nga Maqedonia e Veriut janë larguar mbi 200 mijë qytetarë, prej të cilëve 66% janë shqiptarë”.