Neuenhof, 02.11.2024
Gjatë intervistës, Zoti Ministër Peci theksoi emocionet e veçanta lidhur me Zvicrën dhe rolin e mërgatës në mbijetesën dhe zhvillimin e Kosovës. Ai përmendi rëndësinë e mbështetjes së institucioneve për shoqatat shqiptare në diasporë që promovojnë gjuhën dhe kulturën, duke vlerësuar angazhimin e Albradio-s për informimin dhe rrjetizimin e komunitetit. Po ashtu, ai inkurajoi mërgimtarët të shohin Kosovën si mundësi investimi, veçanërisht në sektorin e bujqësisë dhe shërbimeve IT, duke nënvizuar potencialin e të rinjve shqiptarë të talentuar në këtë drejtim. Zoti Ministër u shpreh i gatshëm të kontribuonte në promovimin e ideve dhe projekteve që ndihmojnë në zhvillimin e Kosovës.
Të nderuar dëgjues të Albradio-s, sot kemi nderin të kemi në studion tonë një figurë të njohur të politikës kosovare – një lider vizionar dhe një ministër të përkushtuar. Mysafiri ynë është i lindur më 16 qershor 1982 dhe aktualisht është ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës. Ai është një nga liderët e partisë Guxo, e cila ka sjellë risi dhe energji të reja në skenën politike të vendit që nga viti 2022. Pra, mysafiri ynë në studio është zoti Faton Peci.
Zoti Ministër, faleminderit që gjetët kohën për të na vizituar, për të vizituar radion e vetme shqipe në diasporë që shpërndan valë në rrjetin nacional të Zvicrës. Një falënderim i veçantë që dua t’ia dedikoj në emër të 23 vullnetarëve tanë është edhe mbështetja dhe përkrahja e parezervë e Konsullit të Republikës së Kosovës, zoti Vigan Berisha, i cili, në misionin e tij fisnik për shtetin, po mbështet të gjitha shoqatat dhe të gjitha organizimet anë e kënd Zvicrës në shërbim të komunitetit tonë shqiptar, pavarësisht prejardhjes nga trojet nga vijnë.
Para disa ditësh, zoti Ministër, u krye regjistrimi i popullsisë, një proces i pari i këtij lloji. Sa të kënaqur jeni me përgjigjen e diasporës për regjistrimin e popullsisë në diasporë?
Së pari, faleminderit shumë për ftesën. Për mua është nder dhe kënaqësi të jem në mesin tuaj dhe me dëgjuesit e Albradio-s, një platformë që besoj se do të ketë efekt të jashtëzakonshëm në aspektin e informimit, ruajtjes dhe promovimit të kulturës, traditës, si dhe rrjetëzimit të mërgatës sonë. Sa i përket procesit të regjistrimit të popullsisë, tashmë dihet rezultati për banorët rezidentë në Kosovë dhe për ata që janë në mërgatë dhe diasporë. Pritshmëritë tona ishin për një numër më të lartë. E kuptojmë që me ndryshimin e trendeve dhe gjeneratave, interesimi nuk është i njëjtë sikurse ka qenë për gjeneratën e parë apo të dytë, për shkak se tashmë kemi një gjeneratë të tretë, familjarë të tyre që jetojnë jashtë. Megjithatë, dëshiroj të shfrytëzoj rastin, përmes radios dhe këtij emisioni, për të theksuar se, në çdo rast që Republika e Kosovës ka interes për pjesën e mërgatës, nuk duhet të ketë hezitim nga ana e tyre për t’u përfshirë. Pjesëmarrja në regjistrimin e popullsisë është ekskluzivisht në interes të mërgatës, sepse në çdo rrethanë nuk dihet se ku një anëtar i mërgatës mund të dëshirojë të vazhdojë pjesën tjetër të jetës. Në funksion të kësaj, janë marrë masa lehtësuese, në mënyrë që ata të bëhen pjesë e procesit të regjistrimit, pjesë e shtetësisë së Kosovës dhe të kenë mundësi investimesh në Kosovë. Një nga arsyet pse jam këtu në Zvicër është pikërisht për të promovuar mundësitë e investimeve nga mërgata në Kosovë, veçanërisht në sektorin e bujqësisë që unë mbuloj. Ne besojmë se numri i mërgatës sonë në Zvicër dhe në vendet e tjera është shumë më i lartë. Sido që të jetë, institucionet kanë bërë pjesën e tyre në promovimin e këtij procesi, dhe me shpresë që në të ardhmen ky numër do të rritet. Ky proces është në interes të diasporës, pasi evidentimi ndihmon në procese të tjera të rëndësishme, si zgjedhjet në Kosovë dhe mundësi të tjera që ofron shteti ynë. Në hartimin e politikave, të dhënat e sakta janë parakusht për zhvillimin e qëndrueshëm dhe për planifikimin e duhur për të ardhmen.
Në bazë të informatave, regjistrimi është shtyrë deri në fund të vitit për ata që nuk kanë mundur të regjistrohen.
Po, regjistrimi do të zgjasë deri në fund të muajit dhjetor, kështu që shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje të gjithë dëgjuesve të Albradio-s, që nuk e kanë realizuar ende këtë proces, të regjistrohen dhe të evidentohen, sepse është në interes të Kosovës dhe gjithashtu në interes të gjithsecilit individualisht të realizojë këtë evidencë dhe deklarim të shtetësisë së Kosovës.
Zoti Ministër, cilat janë planet dhe projektet tuaja për të motivuar qytetarët e Republikës së Kosovës për të punuar tokën, për të mirëmbajtur fermat dhe për të ndaluar largimin nga fshatrat drejt qyteteve?
Dua të ndaj një rast me ju. Javën e kaluar kam qenë në Junik, një nga komunat më të vogla, por më të bukura dhe më piktoreske të Kosovës, që ofron mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e bujqësisë, agroturizmit dhe ekoturizmit. Gjatë vizitës, pashë një profesor të biologjisë, një figurë shumë pozitive dhe e përkushtuar, i cili kishte përfituar ndërtimin e një stalle me mekanizëm modern për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e fermës. Në dy ose tre vitet e fundit, kuptova që dy djemtë e axhës së tij, Syl, kishin emigruar, njëri në Zvicër dhe tjetri në Gjermani, si rezultat i mungesës së mundësive për të zhvilluar aktivitetin e tyre bujqësor dhe blegtoral. Periudha në të cilën unë jam ministër i Bujqësisë është një nga më të vështirat për sektorin bujqësor në 20 ose 30 vitet e fundit. Kjo për shkak të përballjes me pandeminë COVID-19 dhe agresionin rus në Ukrainë, që kanë vështirësuar ndjeshëm aktivitetin bujqësor dhe blegtoral, pasi inputet bujqësore janë rritur deri në 300%. Më pas kemi pasur inflacion, kryesisht të importuar, për shkak se Kosova nuk është një vend që realizon shumicën e nevojave për produkte bujqësore. Të gjitha këto kanë qenë shumë sfiduese për vendet e BE-së dhe për vendet me ekonomi më të konsoliduar. Kosova jonë e vogël ka arritur t’i përballojë këto sfida dhe ka pasur rezultatet më të mira në bujqësi në tre vitet e fundit. Të gjitha parametrat janë pozitive. Sipërfaqet e tokës së punueshme janë rritur me 49% që nga periudha kur kam marrë detyrën. Për herë të parë në historinë e Kosovës, kemi siguruar atë që unë e quaj “buka e motmotit” – sasinë e nevojshme të grurit për një vit. Disa kritikë të qeverisë pyesin pse është kaq e rëndësishme të sigurojmë grurin, sepse nuk është një produkt shumë i shtrenjtë. Unë besoj se bujqësia, përveçse një ekonomi, është gjithashtu siguri kombëtare. Para dy vitesh, kur filloi agresioni rus në Ukrainë, shumica e vendeve të BE-së ndaluan eksportet e grurit. Në atë periudhë, Kosova nuk kishte rezerva shtetërore, dhe nga afër, duke qenë një nga aktorët kryesorë në nivelin më të lartë të institucioneve, pashë sa sfiduese është për një vend që nuk arrin të sigurojë produktet bazike. Jam jashtëzakonisht i lumtur që për herë të parë kemi arritur të sigurojmë “bukën e motmotit” gjatë periudhës që jam ministër i Bujqësisë. Vetëm një statistikë: Kosova këtë vit ka siguruar 190 kilogramë grurë për kokë banori, mbulon rreth 102% të nevojave vjetore. Më pas, kemi rritur mbështetjen për disa kultura bujqësore deri në 275%. Fermeri i Kosovës, nga më i pa përkrahuri në rajon, është kthyer në fermerin më të përkrahur në rajon sa i përket subvencioneve. Për herë të parë, mbështetja për perimet ka qenë e konsiderueshme. Është me rëndësi për qytetarët tanë në diasporë, që janë katalizatorë dhe pjesa e qytetarisë së Kosovës që ka ndihmuar në ndërtimin e saj në vitet ’90 dhe gjatë luftës, të dinë se për dallim nga qeveritë e mëparshme, ku procesi i aplikimit dhe përfitimit të subvencioneve shoqërohej me korrupsion, sot në Ministrinë e Bujqësisë korrupsioni është zero. Çdo fermer mund të hartojë një program sipas kritereve publike dhe përfitimet variojnë nga 50,000 deri në 400,000 euro për projekte të ndryshme. Në sektorin e perimeve, kemi ndërtuar afërsisht 60 hektarë serra në dy vitet e fundit. Vetëm në Mamushë, këtë vit, në kulmin e prodhimit, janë prodhuar deri në 100 ton perime, nga të cilat 70-80 ton janë eksportuar në vende të Evropës, përfshirë Zvicrën.
Sa ka pasur rritje prodhimi në bujqësi në katër vitet e kaluara nën menaxhimin tuaj?
Fola për rritjen e sipërfaqes, e cila është deri në 49%. Tani, rritja e prodhimtarisë varet nga disa faktorë. Përveç rritjes së përkrahjes financiare, meritokracisë dhe transparencës, faktori klimatik ka ndikuar shumë, duke mundësuar një prodhim më të madh këtë vit. Në total, angazhimi në bujqësi në Kosovë është rritur për 27% në tre vitet e fundit, një fakt i rëndësishëm pasi bujqësia kontribuon me 8% të PBB-së së Kosovës, ndërsa nëse përfshijmë dhe përpunimin, ky kontribut arrin deri në 16%. Ky 16% është jashtëzakonisht i rëndësishëm për buxhetin e shtetit. Në çdo sektor kemi pasur rritje të prodhimit. Për shembull, eksportet janë rritur për 94%, ku shumica e eksporteve janë perime, fruta dhe bimë mjekësore aromatike, çajra e produkte të tjera. Roli i mërgatës në këtë aspekt është shumë i rëndësishëm, sepse shumica e eksporteve kanë si destinacion final tregjet ku ajo është e pranishme. Një shembull që na gëzon është fakti që tani mërgata jonë nuk ka nevojë të marrë speca nga Kosova në kthim për në Zvicër, pasi tashmë ka tregje dhe markete që realizojnë eksportin nga Kosova. Madje, këtë vit për herë të parë, specat kosovarë kanë arritur deri në New York. Kemi kaluar edhe në eksportin në nivele ndërkontinentale, dhe kjo është rezultat i qasjes së sinqertë dhe përkrahjes financiare për fermerët tanë, të cilët po e shndërrojnë bujqësinë në një mundësi të qëndrueshme financiare dhe jo vetëm mbijetesë si në të kaluarën.
A mund të sigurohet prodhimi vendor për të mbuluar kërkesat lokale në Kosovë? A mund të bëhet fjalë për eksport të produkteve bujqësore?
Niveli i import-eksportit të produkteve bujqësore në Kosovë ka ndryshuar ndjeshëm. Kur kemi marrë drejtimin, raporti ka qenë 1 me 9, ndërsa aktualisht është diku 6 me 3, në favor të rritjes së eksporteve. Nëse këtë vit kemi siguruar drithëra, që është shumë e rëndësishme, kemi rritje në disa produkte të tjera si vezët, por ende nuk mbulojmë nevojat për mish dhe për produktet e qumështit. Kosova, sipas statistikave, është ndër vendet me konsum të lartë të mishit të kuq, rreth 250 milionë euro në vit, një shifër e madhe që ndikohet edhe nga konsumimi i mërgatës gjatë vizitave të tyre. Për këtë arsye, kemi vendosur prioritet blegtorinë dhe investimet në ferma, si dhe rritjen e fondit blegtoral. Gjatë muajit të fundit, kemi blerë rreth 1000 lopë për fermerët, duke përfshirë jo vetëm lopë, por edhe ndërtimin e stallave dhe sigurimin e mekanizmave bujqësorë dhe traktorëve. Për të ilustruar, po marr një shembull nga sektori i blegtorisë: çdo litër qumësht subvencionohet me 7 cent nga ministria. Gjithashtu, subvencionojmë çdo viç, lopë dhe mbështesim financiarisht ndërtimin e stallave, madje edhe therrjen në thertore të certifikuara. Gjithçka është subvencionuar, që nga qumështi, viçi, mbështjerrja, lopa, ndërtimi i stallave moderne e deri te therrja. Nëse marrim për krahasim Shqipërinë, ajo ofron rreth 10 litra naftë për një dynym tokë, ndërsa Kosova subvencionon minimalisht 474 euro për hektar dhe mund të shkojë deri në 544 euro, në varësi të rendimentit të grurit. Kjo përkrahje e konsiderueshme për blegtorinë është rritur ndjeshëm edhe për drithërat, veçanërisht për misrin, që ndihmon në rritjen e prodhimit në sektorin e bujqësisë. Numri i eksporteve të mishit nga Kosova në vendet e rajonit është rritur, veçanërisht drejt Shqipërisë. Për këtë qëllim, jemi duke realizuar një reformë të thellë përmes Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Këtë vit, kemi siguruar rreth 6 milionë euro për të investuar në teknologjinë më të avancuar laboratorike për trajtimin e sëmundjeve dhe analizave të nevojshme. Në aspektin legjislativ, përparësi kemi vendosur harmonizimin e legjislacionit, si dhe rritjen e kapaciteteve me inspektorë hidrosanitarë dhe veterinarë. Synimi ynë për një periudhë 2-3 vjeçare është që produktet e mishit të Kosovës të jenë të lejuara për tregjet e BE-së dhe vende të tjera. Po punojmë që mërgata të mund të blejë mish nga Kosova, si qengji nga Bjeshkët e Sharrit, që do të mund ta kenë në tryezat e tyre në Zurich, Basel, St. Gallen dhe kudo tjetër ku ata ndodhen.
Si po punoni për të rritur produktin vendor dhe për të nxitur konsumin e tij brenda vendit?
Kam qenë pjesë e një organizimi të realizuar nga Pepeço, i cili përfshin një rrjet të fermerëve, prodhuesve dhe përpunuesve të pemëve dhe perimeve. Më gëzon fakti që gjatë gjithë mbrëmjes pata kontakt me prodhues dhe përpunues që realizuan shumë kontrata, pasi rreth 30 afaristë kryesisht nga Gjermania dhe Zvicra ishin të pranishëm në një konferencë ku u prezantuan mundësitë dhe produktet tona. Ata treguan interes dhe realizuan marrëveshje konkrete. Një fermer i jashtëzakonshëm, Bekim Vokrri nga Podujeva, prodhues i karrotës cilësore që mbulon rreth 70% të tregut të Kosovës, gjithashtu ka realizuar disa kontrata me bashkatdhetarë që merren me shitje në vendet e Bashkimit Evropian. Vetëm më 1 nëntor 2024, 30 afaristë nga komuniteti i biznesit, që merren me blerje, tregtim dhe shpërndarje në BE, realizuan një numër të konsiderueshëm kontratash në Kosovë, falë një organizimi të përbashkët mes shoqatave dhe institucioneve ku isha edhe unë i pranishëm për të promovuar produktet tona. Përveç kësaj, institucionet e Kosovës kanë mbështetur shumicën e këtyre bizneseve në panaire të ndryshme. Për shembull, para dy javësh morëm pjesë në Forumin Ekonomik Kosovë–Francë, si pjesë e delegacionit të kryesuar nga kryeministri z. Albin Kurti, ku ishin të pranishëm pesë ministra kryesisht nga sektori ekonomik. Gjithashtu, ishim prezentë në SIAL, një nga panairet më të mëdha në botë që organizohet në Paris, ku Kosova u përfaqësua me 10 prodhues të mbështetur nga Ministria e Tregtisë për promovimin e produkteve tona. Po punohet intensivisht në këtë drejtim, duke u përpjekur të krijojmë një balancë midis zhvillimit të sektorëve të ndryshëm dhe përparësive krahasuese me vendet e rajonit. Gjithashtu, përqendrohemi te produktet që kanë më shumë mundësi tregu dhe më shumë potencial për shitje në Bashkimin Evropian.
Çfarë planesh konkrete ka qeveria juaj për mbështetjen e shoqatave ose mediave shqiptare në diasporë që punojnë me përkushtim për të ruajtur gjuhën, identitetin, dhe për të promovuar kulturën dhe vlerat kombëtare në vende të huaja, siç është Zvicra?
Donika dhe unë bashkëdrejtojmë subjektin politik Guxo, dhe në funksion të kësaj, në kuadër të aktiviteteve të shumta që ajo po ndërmerr në vende të ndryshme të botës, prioritet i saj mbetet promovimi i kulturës, traditës dhe informimit. Gjithashtu, synojmë të krijojmë mundësi rrjetëzimi dhe shkëmbimi për të rinjtë, qoftë për studime, qoftë për përvoja institucionale. Jam shumë i lumtur që ndodhem sot në Albradio, për të dhënë një kontribut, dhe prezenca ime në këtë studio është përpjekje e angazhimit tonë për të promovuar dhe për të përkrahur nisma të tilla. Për projekte specifike, do të shfrytëzojmë rastin të përfshijmë edhe ministrin apo dikë nga stafi ynë, por dihet që Ministria e Diasporës, tani pjesë e Ministrisë së Punëve të Jashtme, ka projekte dhe angazhime konkrete për promovim dhe përkrahje të diasporës. Më vjen shumë mirë që në një hapësirë të tillë të liberalizimit të frekuencave dhe kanaleve të komunikimit, në këtë rast përmes radios, e keni shfrytëzuar ju si mërgatë. Ju falënderoj edhe një herë për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm në informim. Informimi është parakusht për rrjetëzimin, promovimin e kulturës dhe traditës, për arsimimin dhe për mbajtjen gjallë të lidhjeve të veçanta që mërgata jonë ka me Kosovën nga Zvicra, Gjermania dhe vende të tjera. Në të vërtetë, diaspora jonë ka tejkaluar të gjitha parashikimet. Edhe më optimistët do të habiteshin me kontributin tuaj, sidomos pas periudhës së luftës. Në çdo parametër ekonomik, parashikimet ndërkombëtare thoshin se pas 10–15 vitesh kontributi i remitancave nga diaspora në Kosovë do të binte drastikisht, por ka ndodhur krejt e kundërta. Niveli i remitancave nga diaspora vazhdon të rritet dhe, bashkë me to, edhe niveli i investimeve.
Ne kemi pasur fatin ta kemi dy herë në intervistat tona zëvendëskryeministren.
Jam i bindur që iniciativa të tilla do të kenë përkrahjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Edhe skemat që ata kanë krijuar do të mbështesin iniciativa të suksesshme, sikurse është Albradio.
Zoti Ministër, cili është mesazhi që do t\’i adresonit komunitetit shqiptar në përgjithësi nëpërmjet valëve të Albradio-s?
Sa herë që jam në Zvicër, kam një emocion të veçantë, sepse jam rritur me çokollatat zvicerane, çantat e shkollës dhe garderobën që, çdo 1 shtator, i kisha të gjitha të reja, falë sakrificës së xhaxhait tim, i cili ishte pjesë e mërgatës që nga vitet \’70. Këtu ku po realizohet kjo intervistë është afër Wettingen-it, dhe emocionet janë të veçanta sepse roli i xhaxhait tim, ashtu si ai i gjithë mërgatës, ka mundësuar shkollimin tim. Sot, ndodhem në studio si mysafir i Albradio-s. Mesazhi im për ju është se mërgata ka mundësuar mbijetesën e popullit të Kosovës në periudhat më të vështira të historisë sonë, gjatë genocidit të kryer nga Sllobodan Millosheviçi. Ju e keni mbajtur gjallë sistemin paralel, sepse ky organizim kishte legjitimitetin e popullit dhe burimin për vazhdimin e jetës dhe arsimit. Pjesëmarrja juaj në organizimin e rezistencës dhe luftës së shenjtë çlirimtare të Kosovës mbart vulën e përkrahjes tuaj financiare, morale, dhe angazhimit, madje deri në sakrificën e jetës për lirinë e Kosovës. Në periudhën pas luftës, pavarësisht investimeve ndërkombëtare, ishte mërgata ajo që rindërtoi shumicën e shtëpive në Kosovë. Dhe sot, përmes remitancave, vazhdoni të kontribuoni gjithnjë e më shumë. Mendoj se është koha që mërgata jonë ta shohë Kosovën si mundësi investimi. Ju që e mbajtët Kosovën në vitet \’90 dhe e ndihmuat financiarisht luftën çlirimtare, ju që rindërtuat Kosovën pas luftës, tani keni mundësinë të kontribuoni në një nivel tjetër. Përtej sentimentit, ndjeshmërisë dhe patriotizmit, është shumë e rëndësishme që të konsideroni investimet në Kosovë. Një mërgimtar që po kalon drejt pensionimit mund të zgjedhë të kalojë një pjesë të jetës në Kosovë dhe Zvicër, dhe me pensionin e fituar në Zvicër ka mundësinë të investojë në sektorë të ndryshëm në Kosovë, si në bujqësi. Po hartojmë legjislacion modern për grupet prodhuese, që nëse 4–5 individë ose biznese bashkohen për të investuar, mund të përfitojnë nga avantazhet e Kosovës. Një pensionist mund të investojë në bujqësi dhe të dyfishojë ose trefishojë të ardhurat nga ky investim në Kosovë, duke ndihmuar jo vetëm veten, por dhe zhvillimin e vendit dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Sektori i bujqësisë dhe ai i teknologjisë së informacionit janë dy potencialet kryesore zhvillimore të Kosovës, të vlerësuara dhe nga ekspertët ndërkombëtarë. Në Zvicër ka të rinj të suksesshëm, të përfshirë në organizata dhe korporata të nivelit të lartë, dhe mundësia e themelimit të njësive të biznesit në Kosovë është një mundësi e jashtëzakonshme. Kosova ka popullsinë më të re në Evropë, me të rinj të talentuar, që zotërojnë gjuhë të huaja dhe kanë nivel të lartë akademik dhe profesional. Një i ri që ka sukses në Zvicër mund të krijojë një njësi biznesi dhe të ofrojë shërbime edhe nga Kosova. Kështu, mund të promovojmë shkëmbimin e ideve dhe përvojave midis të rinjve të talentuar në Zvicër dhe në Kosovë. Për mërgimtarët që janë në prag të pensionimit, sektori i bujqësisë mbetet një mundësi e realizueshme, pasi lidhja emocionale që ata kanë me tokën është e jashtëzakonshme dhe mund të kurorëzohet me investime që sjellin zhvillim dhe përparim për vendin.
Zoti ministër, faleminderit për kohën tuaj! Faleminderit për këto përgjigje kuptimplota! Urojmë që në secilën vizitë tuaj në Zvicër të vini në studion tuaj, në studion e Albradio-s.
Me kënaqësi! Çdo herë jam i gatshëm të jem këtu, sepse e kuptoj shumë mirë rolin dhe peshën që kjo radio mund të ketë. Do të jap gjithçka nga vetja, që kudo që të jem, do të jem promovues i idesë që këto valë të dëgjohen nga sa më shumë bashkëatdhetarë.
Intervistën e plotë mund ta dëgjoni: https://www.albradio.ch/audio/ (29. Intervistë me Ministrin Faton Peci
P.S.