Iljaz pashë Qoku i njohur në historinë shqiptaresi Iljaz pashë Dibra, ka lindur në viti 1812 në fshatin Gllobçicë të Dibrës së Madhe.
Ka qënë ushtarak shqiptar i Perandorisë Osmane, kryetar i Komitetit të Lidhjes Shqiptare të Prizërenit dhe drejtues i mbledhjes së 18 qershorit të vitit 1878 ku u firmos dokumenti i quajtur “Kararnameja”. Në qytetin e Ohrit, në Maqedoninë e Veriut jeton njëri prej pasardhësve të Iliaz Pashës, stërnipi i tij Shpëtim Qoku. Gjatë një vizite në këtë qytet, kontaktuam me të, i cili na tregoi fakte interesante që pothuaj se nuk janë trajtuar nga historiografia shqiptare. I ati i tij Ollomani, rridhte nga një familje e madhe feudale me prona të shumta deri edhe në Greqi. Iliazi ishte një nga 8 fëmijët e kësaj familjeje i cili u arsimua fillimisht në qytetin e Selanikut dhe më pas në Stamboll, ku mori edhe titullin “pasha”. Ai nuk mund të pajtohej me sundimin osman të trojeve shqiptare, ndërkohë që Sërbisë, Malit të Zi dhe Greqisë ju ishte njohur autonomia, -tregon Shpëtimi.

Në bisedë më Shpëtimin, del në pah edhe një prej virtyteve të meshkujve të familjes Qoku, trimëria dhe atdhedashuria. Në vitin1839 Iliaz Pasha, mori pjesë në një kryengritje kundër Tanzimatit. Kurse në betejën e Pollogut në Dibër të Madhe, ju vranë edhe dy vëllezërit Xhemaili dhe Rezmiu, pas vrasjes në mënyrë të pabesë nga pushtuesit osmanë të atit të tyre Ollomanit. Por aftësitë e tij si strateg ushtarak i tregoi në betejën e Gjoricës në teritorin e Peshkopisë në vitin 1844 ku udhëhoqi kryengritësit kundër Hajredin Pashës duke i shkaktuar ushtrisë osmane shumë të vrarë.
Populli këtë betejë e ka përjetuar edhe në këngën e titulluar “Hajredin Pasha”, ku tregohet heroizmi i luftëtarëve shqiptarë kundër ushtrisë osmane të komanduar nga Hajredin Pasha. Dhe Shëptimi nuk rresht së renditur copëza rrëfimesh, të ruajtura në kujtesë brez pas brezi dhe që kanë mbërritur deri sot nga pasardhësit e familjes Qoku, për atë që edhe sot në këtë familje quhet “gjyshi i madh i fisit”. Kështu ai ndalet tek një moment tjetër i aktivitetit të Ilaz Pashës. Në vitin 1877 me iniciativën e tij u organizua një tubim në manastirin e Bigorskit në Dibrën e Madhe, ku morrën pjesë shumë patriot. Këtu u hidh edhe idea e thirrjes së një beslidhjeje, e cila do të realizohej një vit më pas, më 10 qershor të vitit 1878 me “Lidhjen Shqiptare të Prizërenit”, ku do të merrnin pjesë delegate nga të katër vilajetet shqiptare. Si më i vjetri nga gjithë delegatët, Iliazi u zgjodh edhe kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizërenit. Kryesoi gjithashtu Kuvendin e Dibrës më 1 nëntor 1878 dhe ishte njën ga 14 anëtarët e delegacionit që do t’I paraqisnin sulltanit kërkesën për autonominë e Shqipërisë.
Edhe pse në moshë madhore, Iliazi do të mbështeste edhe Kongresin e Alfabetit në vitin 1908 në qytetin e Manastirit, prej nga do të merrte rrugë e shkruara e gjuhës shqipe. Vetë at Gjergj Fishta, si kryetar i komisionit për hartimin e alfabetit, kërkoi përkrahje prej tij. Iliazi edhe këtë herë, nuk kurseu mbështetjen e tij për këtë nismë madhore të patriotëve shqiptarë. Ai kontribuoi financiarisht, ndërkohë që pranë delegatëve e dërgoi nipin e tij Arif Qokun, -shprehet Shpëtimi.
Gjithë jetën kishte luftuar që trojet shqiptare të ishin të bashkuara dhe të pavarura nga Perandoria Osmane. Dy vjet para shpalljes së pavarësisë, do të mbyllte sytë në moshën 98 vjeçare. Me brengë në shpirt, Shpëtimi tregon se si në kohën e mbretërisë Sërbo-Kroato-Sllovene edhe gjatë regjimit komunist në Jugosllavi, kjo figurë u la në harresë, madje nuk ekziston edhe një varr ku të prehen eshtrat e tij. Pas rënies së sistemit komunist, i kemi kërkuar në Dibër eshtrat e Iliaz Qokut. Sipas gojdhënave të mbërritura deri në ditët tona, na kanë thënë se ato duhet të jenë në territorin ku dikur ngriheshin sarajet e Qokajve, në qëndër të Dibrës së Madhe, por nuk kemi mundur, -shprehet i pikëlluar Shpëtimi.
Në vazhdim të bisedës mësojmë se emrin e Iliazit e kanë trashëguar ndër breza disa prej pasardhësve të tij, ndërkohë që vetë Shpëtimi në shtëpinë e tij në Ohër, ka disa sende të përdorura nga Iliaz Pash Qokut. Ne kemi një revolver dhe një cigarishte të përdorura nga “gjyshi ynë i madh”, Iliazi të cilat i ruajmë si relike të vyera, -tregon Shpëtimi, – duke i mbajtur objektet në dorë. Monumenti i Iliaz Pashë Qokut sot ngrihet në qytetin e Peshkopisë në Verilindje të Shqipërisë.
Artan Grabocka