Për herë të parë, Klinika e Onkologjisë dhe Emergjenca e QKUK-së janë pajisur me aparatura për ngrohjen e gjakut dhe lëngjeve trupore (blood warmer), mjete jetike për procesin e transfuzionit të sigurt.
Kryetarja e OJQ-së “Cicat”, Ermire, tha se deri më tani, në QKUK ky proces kryhej pa aparaturën e duhur, duke u detyruar në raste të veçanta të përdoren metoda alternative si mbajtja e gjakut pranë trupit, gjë që e vështirëson punën e mjekëve.
“Sot dhuruam katër Blood Warmers – dy për Klinikën Onkologjike dhe dy për Emergjencën – si dhe pesë karroca për bartjen e barnave, me shpresën dhe zotimin se këto nuk do të jenë donacionet e fundit”, theksoi ajo.
Ky donacion u mundësua falë pikturave të krijuara nga artistët gjatë tri ditëve të rezidencës artistike në kuadër të Festivalit “Shliroj Cicat” – Tetor 2024, të cilat u shitën në ankandin bamirës më 4 shkurt 2025 në Cyrih, me rastin e Ditës Botërore të Kancerit.
Kontributi i komunitetit shqiptar në Zvicër dhe mbështetja e qytetarëve bëri të mundur realizimin e këtij hapi që, sipas organizatorëve, “do të bëjë diferencën në jetët e pacientëve”.
OJQ “Cicat” ka paralajmëruar se së shpejti do të vijojnë me donacione të tjera në mbështetje të Klinikës Onkologjike dhe grave të prekura nga kanceri i gjirit.