Promovimi i Librit “Agimi i Lirisë” – një ngjarje e veçantë

Të shtunën, më 20 Shtator 2025 u Promovua libri “Agimi i Lirisë” i autorit Bedri Tahiri. Ky aktivitet i rëndësishëm përkon me 27-vjetorin e rënies heroike të dëshmorit Agim Rrahim Ramadani, figurë e njohur për kontributet e tij në luftën për liri.

Ngjarja u organizua në ambientet e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, tashmë një vend i mirënjohur për aktivitetet kulturore dhe promovuese të shqiptarëve në diasporë.
Nën patronazhin e Shefit të Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, në bashkëpunim me Lidhjen e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë (LKSHM), ky promovim u bë një mundësi për të nderuar kujtimin e dëshmorit dhe për të promovuar vlerat kulturore.

Promovimin e moderoi Dan Morina, i cili e drejtoi me profesionalizëm derisa Shefi i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës dhe nikoqiri i këtij promovimi z. Vigan Berisha e hapi këtë ngjarje duke falenderuar të pranishmit dhe të gjithë ata që kishin dhënë kontributet e tyre për ta promovuar librin „Agimi i Lirisë“ .

Me nga një fjalim nderi në foltoren e Konsullatës mysafirëve ju drejtuan:

  • Prof. z. Femi Ramadani (vëllai i Agim Rrahim Ramadanit)
  • Ish Komandanti i Brigadës 173 – “Gursel dhe Bajram Sylejmani”, Komandant Selami Neziri
  • Autori i Librit, z. Bedri Tahiri
  • Ish Konsulli i Republikës së Kosovës, z. Dr. Sali Sefa
  • Sekretari i parë i Republikës së Shqipërisë në Bern, z. Valon Gashi
  • Kryetari i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, z. Musa Jupolli


Pak para përfundimit të fjalimeve të nderit për ti dhënë emocione edhe më të fuqishme u shfaq Fjolla Berisha, një artiste e re që po shpalos talentin e saj në shumë manifestime që po organizohen në Mërgim.

Me një fjalë, të gjithë të pranishmit theksuan se ky libër ka një rëndësi të madhe për lirinë e Kosovës dhe për angazhimin e Agimit në kauzën kombëtare dhe se vepra e Agimit është një burim i rëndësishëm për ta kuptuar më mirë historinë dhe sakrificat e atyre që luftuan për liri.


Bedri Tahiri, autori i librit, shpjegoi se ky libër është një përmbledhje e kujtimeve dhe ngjarjeve të shkruara nëpërmjet ditarit të dëshmorit. Ai e quajti Agimin një nga autorët kryesorë të librit, duke e theksuar kontributin e tij për lirinë e popullit.


Në fund, Fehmiu, vëllai i Agimit, falënderoi publikun për pjesëmarrjen dhe ndau një histori emocionuese nga jeta e dëshmorit, duke përshkruar një moment të veçantë me nënën e tij në lidhje me armën e re që Agimi e kishte marrë dhe se nëna e tij i kishte thënë: se tash që po ta shoh armën e re, më nuk do të mbaj merak për ty Agim.

Pas fjalimeve emocionuese, promovimi u përmbyll me një koktej të organizuar nga Konsullata e Republikës së Kosovës si dhe të pranishmit patën mundësinë të merrnin librat edhe me autogramin e Autorit Bedri Tahirit dhe të ndanin mendime në një atmosferë miqësore dhe festive.

Promovimi i librit “Agimi i Lirisë” ishte një ngjarje e paharrueshme që nderoi kujtimin e një heroi dhe promovoi vlerat kulturore dhe historike të popullit shqiptar. Me fjalë të fuqishme dhe emocionuese, të pranishmit u ndanë me një ndjenjë krenarie për sakrificat e atyre që luftuan për lirinë e Kosovës. /albradio/