Me 30 dhe 31 gusht të gjitha rrugët qojnë në Gjenevë

Homazhe dhe Marsh për Drejtësi, në Ditën e të Zhdukurve

Shoqata Kulturore Dora d’Istria në bashkëpunim me Lidhjen Shqiptare në Botë (LBSH) ftojnë palët e interesuara të marrin pjesë në Marshin e 30 Gushtit.

Për çdo vit, më 30 gusht, bashkësia ndërkombëtare mobilizohet për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjes me Dhunë, e njohur gjithashtu si Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur. Kjo ditë synon të tërheqë vëmendjen mbi fatin tragjik të atyre që janë rrëmbyer në rrethana të dhunshme, shpesh pa i njoftuar familjarët ose përfaqësuesit e tyre ligjorë për vendndodhjen ose fatin e tyre.

Që nga viti 2007, Koalicioni Ndërkombëtar kundër Zhdukjeve me Dhunë (ICAED),  rrjet global ky që bashkon organizata të familjarëve të të zhdukurve dhe OJQ,  punon pandërprerë për ta bërë të njohur këtë ditë, për të organizuar fushata ndërgjegjësuese dhe për të promovuar ratifikimin universal të Konventës Ndërkombëtare për mbrojtjen e të gjithë Personave kundër zhdukjeve me dhunë.

Në këtë kuadër, Shoqata Kulturore Dora d’Istria, e angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe në ruajtjen e kujtesës kolektive, në bashkëpunim me Lidhjen Shqiptare në Botë fton të gjitha palët e interesuara të marrin pjesë në përkujtimet e 30 gushtit 2025. Shoqata organizon rregullisht veprimtari kulturore dhe edukative për të ndërgjegjësuar publikun mbi shkeljet e të drejtave themelore.

Këtë vit, në bashkëpunim me disa partnerë institucionalë, shoqërorë dhe komunitarë,  përfshirë Komisionin e Shiritave të Bardhë të Bosnjë-Hercegovinës, organizata nga Argjentina, Ukraina, si dhe Klubin për UNESCO-n, të Lozanës, shoqatën Yaffa dhe të tjerë, Dora d’Istria koordinon një seri iniciativash përkujtimore.

Në të njëjtën ditë, më 30 gusht, organizohet edhe në Bruksel një marsh për drejtësi, me të njejtën moto, si ajo në Gjenevë e ku fjala është për një iniciativë të grave migrante shqiptare në Evropë.

Kjo ditë ka një domethënie të veçantë për popullin shqiptar, i cili mban ende plagët e zhdukjeve me dhunë të kryera nga regjimi fashist i Serbise gjatë luftës në Kosovë (1998–1999). Ajo përbën një mundësi për të dëgjuar zërin e familjeve të pikëlluara dhe për të nderuar viktimat si dhe për të riafirmuar kërkesën për drejtësi.

Shoqata Kulturore Dora d’Istria dhe LSHB bëjnë thirrje për mobilizim solidar dhe për një angazhim të ripërtërirë për t’i dhënë fund kësaj shkeljeje të rëndë të të drejtave të njeriut, kudo që ndodh në botë.

Shoqata Kulturore Dora d’Istria është organizatë me seli në Gjenevë, e angazhuar në promovimin e të drejtave të njeriut, kulturës dhe kujtesës historike të popujve. Përmes veprimtarive të saj, shoqata synon të krijojë ura mes komuniteteve, të ndërgjegjësojë për shkeljet e të drejtave themelore dhe të promovojë drejtësinë, solidaritetin dhe paqen.

    Programi i orgnanizuar i së shtunës, me 30 gusht 2025 :

    • – Marsh për drejtësi
    • – Fjalime nga autoritetet
    • – Ekspozitë me fotografi të viktimave
    • – Performancë artistike
    • – Homazh për të zhdukurit
    • – Aperitiv, i shoqëruar nga një grup muzikor

    Programi i orgnanizuar i së dielës, me 31 gusht 2025 :

    • – Hapja e ekspozitës kolektive
    • – Dëshmi nga familjarët e të zhdukurve
    • – Tryezë e rrumbullakët
    • – Mbyllja e ngjarjes

    Për më shumë informata, ju ftojmë të kontaktoni:
    Shoqata Kulturore Evropiane Dora d’Istria
    Kontakti: +41 79 607 46 74
    www.dora-distria.ch