Cyrih, 02.10.2025
Nën organizimin e Konsullatës së Republikës së Kosovës gjegjësisht Shefit të Misionit Konsullor në Cyrih, zotëri Vigan Berishës u shfaq filmi dokumentar “Return to Kosovo” i gazetarit Anglez Julius Strauss ku ishin të ftuar përfaqësues të akredituar të Ambasadave të shteteve si Shqipërisë, Turqisë, Kroacisë, Portugalisë, Italisë, Japonisë, Belgjikës, Republikës Ceke, Estonisë, Seychelles, Sllovakisë, Gambisë, Bahamas, Maltës dhe Monakos si dhe politikan të lartë të Kantonit të Cyrihut. Në këtë ngjarje po merrnin pjesë biznesmen e atdhedashës, emra eminent të jetës publike shqiptare që veprojnë në Zvicër.
Seebach-u ishte nikoqir i një ngjarjeje të veçantë me shfaqjen e filmit dokumentar të titulluar “Return to Kosovo” me protagonistin e ngjarjes ku i pranishëm ishte edhe vet Besnik Deliu, i mbijetuar i masakrës në Abri të epërme të Drenasit. Përmes këtij filmi dokumentar të prekshëm u tregua historia prekëse e Besnikut, një djalë pesëvjeçar që mbijetoi masakrën e Abrisë së Epërme gjatë Luftës së Kosovës. Besniku kishte humbur 23 anëtarë të familjes së tij.
Britaniku Julius Strauss, një gazetar që kishte vizituar zona të konflikteve atëbotë kishte qenë me punë dhe po raportonte nga Kosova.
Fjalën hyrëse e morri zoti Berisha ku fiillimisht i falenderoi në emër të Republikes së Kosovës, për pjesëmarrjen, për miqësinë dhe për mbështetjen e shteteve mike që edhe po merrnin pjesë dhe ndër të tjera u shpreh: se sonte jemi këtu jo vetëm për të parë një film, por edhe për të reflektuar dhe për të kujtuar ku përmes tregimeve personale dhe pamjeve origjinale, ky film na kujton vlerat universale të së vërtetës, drejtësisë dhe kujtesës — vlera që i bashkojnë të gjithë njerëzit në kërkimin e tyre për paqe dhe dinjitet.

Kosova po ecën përpara me besim dhe është e njohur nga më shumë se 100 shtete anëtare të OKB-së, dhe se vendi ynë ka një perspektivë të qartë evropiane, një ekonomi në rritje dhe një përkushtim të fuqishëm për stabilitet dhe demokraci.

Zoti Berisha gjithashtu vuri në dukje duke theksuar se 27 vjet më vonë, sipas Raportit Global të Sigurisë 2025 të Gallup-it, Kosova është vendi më i sigurt në Evropë dhe i treti më i sigurt në botë.
27 vjet më vonë, Julius, i cili tani jeton në Kanadë, do të merrte një mesazh nga Besniku në një moment kur ai kishte humbur gruan e tij Kristinën ndërsa ftesa vjen në momentin që Julius ishte duke menduar dhe po vuante për humbjen e gruas së tij dhe kjo ftesë e Besnikut do ta bënte që Julius të kthehej edhe njëherë në Kosovë, por tanimë jo si gazetar i luftës por për ta vizituar Besnikun që atëbotë e kishte lënë 5 vjeçar.
Julius kthehet në Kosovë dhe ata vizitojnë vendin e masakrës, ku zbulojnë të vërtetën e plotë rreth asaj që ndodhi atë ditë të tmerrshme.
Ky dokumentar ofroi një pasqyrë të thellë mbi pasojat e luftës dhe rëndësinë e lidhjeve njerëzore, duke ngjallur reflektime mbi riintegrimin dhe shërimin pas traumave. Pjesëmarrësit e ngjarjes patën mundësinë të diskutojnë për rëndësinë e këtij filmi dhe ndikimin e tij në ndihmën ndaj atyre që kanë përjetuar dhimbje dhe humbje. Në fund të shfaqjes së filmit dokumentar, Besnik Deliu falenderoi të pranishmit ku u shpreh se ende drejtësia nuk ka zënë vendin e vet sepse ende nuk ka asnjë të dënuar për këtë Masakër makabre të kryer nga kriminelët Serb.